Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën e VI ndërkombëtare me titull "Kërkime Gjuhësore". Për programin klikoni këtu

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën shkencore me titull "Studime letrare në proces: Rezultate dhe probleme, III". Për programin klikoni këtu

Konferencë Shkencore pdf Shtyp Email
Antropologji-Arte
Shkruar nga Administrator   
E henë, 27 Maj 2013 07:19

Konferencë Shkencore “Fakti etnografik, Tradita, Moderniteti”

Që kur lindi antropologjia social-kulturore, njëri prej shqetësimeve të debatuara gjatë nga studiuesit kishte të bënte me natyrën e fakteve që duhej të mblidhte kjo shkencë dhe mbi të cilat duhej ndërtuar perspektiva e saj mbi njohjen e njeriut. Debati do të bazohej në pyetjen e vazhdueshme se çfarë kërkon dhe si i mbledh të dhënat një antropolog. Në kohë ky do të bëhej një ndër debatet më të ndezura të disiplinës, i cili vijon edhe sot.

Vërehet se në gjenezë disiplina u mjaftua me dy përcaktime të vagullta, por jo domosdoshmërisht përjashtuese ndaj njëra-tjetrës, ku objekti klasik i studimeve të antropologjisë social-kulturore do të bëheshin kulturat dhe shoqëritë primitivo-tradicionale. Fokusi i antropologjisë te primitivja apo tradicionalja do të prodhonte një ndarje detyrash të sforcuar me sociologjinë, ku kjo e dyta, do të fokusohej te modernia dhe moderniteti. Kësisoj, për të faktuar primitiven dhe për të mbështetur debatet mbi “natyrën njerëzore”, antropologjia social-kulturore përdori si mekanizëm metodologjik atë të “vëzhgimit-pjesëmarrës”. 

Por lokalizimi i objektit të studimit në kulturat/shoqëritë, të cilësuara si primitive apo tradicionale, nuk ka mjaftuar për të caktuar përfundimsht limitet e fushës së kërkimit në antropologji. Gjithashtu nuk ka mjaftuar as si kriter dallimi midis antropologjisë social-kulturore dhe disiplinave fqinje, dhe aq më tepër në debatin mes antropologjisë pranë dhe larg shtëpisë. Një prej zhvendosjeve më të mëdha që ka ndodhur lidhur me “faktin etnografik” duket se ka të bëjë më shumë me zgjerimin dhe përfshirjen e shumë syresh duke inkuadruar edhe modernitetin në leximin antropologjik (p.sh. Eriksen, 1995, Wolf, 2001, Fabian, 2002).

Nëse në antropologjinë social-kulturore botërore debati mbi “faktin etnografik” ka ecur paralelisht me zhvillimin dhe zgjerimin e disiplinës, në traditën e kërkimeve etnografike shqipshkruese, megjithëse është krijuar një fond i pasur me kërkime dhe publikime etnografike, vërehet një mungesë e theksuar në debatin teorik dhe metodologjik mbi objektin e studimeve etnografike shqiptare. Pikërisht pyetja se çfarë duhet apo nuk duhet konsideruar ‘fakt etnografik’ në studimet shqiptare ka lidhje të drejtpërdrejtë me kriteret që përdoren në klasifikimin e një dukurie të caktuar sociale apo kulturore dhe vlefshmërinë e saj si burim për analizën etnografike.

Deri më tash në traditën e kërkimeve etnografike shqiptare në mënyrë të heshtur e ndonjëherë me zë të lartë është pranuar se kriteri kryesor për klasifikimin e një dukurie si burim etnografik lidhet me aplikueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e një tradite për një kohë të gjatë - tradita. Një tjetër kriter ka të bëjë me etnicitetin e dukurisë kulturore, duke supozuar se kemi të bëjmë me një kulturë etnike apo kombëtare – etniciteti. Kësodore, herë në mënyrë të vetëdijshme e herë jo, trualli i romantizmit politik ka qenë hapësira teorike prej së cilës priret procesi për të mbjellë, korrur dhe krijuar “faktin etnografik”. Gjithashtu vërehet se në traditën e studimeve etnografike shqiptare e kaluara e shoqërisë shqiptare është parë si burimi i “faktit etnografik”, ndërsa e tashmja u la shpesherë mënjanë.

Një sprovë tjetër që na rezulton dhe me të cilën përballemi në studimet etnografike shqiptare është fakti se kërkimi etnografik është parë si një proces mbledhjeje të dhënash kryesisht nga tradita gojore. Ndoshta në këtë rast kërkimet në lëmin e kulturës materiale bëjnë vetiu një përjashtim ku objekti kryesor i analizës etnografike shfaqet i prekshëm, kurse tradita gojore merret si një burim shtesë rreth procesit të krijimit dhe përjetimeve të krijuesit dhe përdoruesit të objektit. Por megjithatë, dhe në këtë rast, etnografinë e specifikon vetë procesi i mbledhjes së objekteve, që shoqërohet nga përzgjedhja e objekteve dhe mbledhja e kujtimeve dhe përjetimeve lidhur me këto objekte. Pra, në njëfarë mënyre kërkimi etnografik kthehet praktikisht në një disiplinë që mbledh, klasifikon dhe analizon kujtesën sociale. Prandaj me të drejtë do të duhet të shtrohen për diskutim pyetje të tilla si: Përse kujtesa gojore merr një rëndësi të dorës së parë në traditën e kërkimit etnografik në Shqipëri? Cilat janë kontekstet që kufizojnë mbledhjen e kësaj të dhëne? A ndodh që kujtesa sociale e ardhur nëpërmjet gojtarisë të mos ketë pasur ndikim nga kultura e shkrimit? Cila prej këtyre kulturave është më e manipulueshme nga raportet e pushtetit dhe çfarë thotë kjo për faktin etnografik?



Modifikimi i fundit E mërkurë, 10 Shtator 2014 08:14
 

Kush është online?

Kemi 17 vizitorë online