Konferenca "Variacioni sintaksor në dialektet dhe të folmet e shqipes" pdf Shtyp Email
QSA
Shkruar nga Administrator   
E premte, 26 Shkurt 2016 09:24

Instituti i Gjuhësisë do të organizojë konferencën “Variacioni sintaksor në dialektet dhe të folmet e shqipes” në muajin dhjetor 2016. Sot për sot, në albanistikë, nuk kemi ende një përpjekje sistematike për kryerjen e studimeve kushtuar tipareve dalluese sintaksore të të folmeve të shqipes në të gjitha trevat shqipfolëse.

Qëllimi parësor i kësaj konference është të sjellë studime mbi tiparet dalluese sintaksore të dialekteve dhe të folmeve të shqipes, të realizuara nga studiuesit e gjuhës shqipe tani dhe ndër vite, jo vetëm për të nxitur kërkimet në këtë fushë, por edhe për të çuar përpara punën e përbashkët për hartimin e një atlasi të sintaksës dialektore të shqipes (me të dhëna më të plota gjuhësore dhe sociolinguistike). 

Tematikat e studimeve të propozuara duhet të jenë në një nga fushat e mëposhtme:

Fusha A

Zbulimi i tipareve dalluese sintaksore të të folmeve të shqipes me anë të përshkrimit të studimeve të sintaksës dialektore të shqipes botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë në organe të ndryshme shkencore, seri/materiale/tekste dialektologjike, monografi e skica monografike, etj.

Fusha B

Zbulimi i tipareve dalluese sintaksore (sipas kategorive të ndryshme sintaksore) të të folmeve të shqipes me anë të prurjeve të reja Studiuesit që duan të marrin pjesë me kumtesë në këtë seancë janë të lutur të zgjedhin një ose disa krahina nga të folmet e mëposhtme:

1. Gegërishtja veriperëndimore

2. Gegërishtja verilindore

3. Gegërishtja qendrore

4. Gegërishtja jugore

5. Toskërishtja veriore

6. Labërishtja

7. Çamërishtja

8. E folmja e arbneshëve të Zarës (Dalmaci)

9. E folmja e arbëreshëve të Italisë

10. E folmja e arnautëve të Ukrainës

11. E folmja e arnautëve të Mandricës (Bullgari)

Vjeljet në këto krahina duhet të jenë të natyrës së bisedës së lirë. Çdo krahinë duhet të përfaqësohet me një ose më shumë informatorë të cilët duhet të plotësojnë këto kritere: a) të jenë të identifikueshëm, b) të jenë mbi 50 vjeç, c) të jenë sa më pak të shkolluar, d) të kenë lindur në atë krahinë, dhe e) të kenë jetuar në atë krahinë mundësisht gjatë gjithë jetës së tyre.

Temat e bisedës së lirë mund të lidhen me ngjarje nga jeta familjare, me ngjarje nga jeta në mjedisin ku jetojnë informatorët, me ngjarje historike të zonës ose me lëndë që mund të lidhet me folklorin e zonës, etj.

Pjesëmarrjen ju lutemi ta konfirmoni deri në datë 30 Mars me koordinatoren shkencore të projektit, Prof. as. Enkeleida Kapia, në adresën e emailit Ky email po mbrohet prej spambots-ave, të duhet JavaScript per ta pare. .

Në emailin tuaj përcaktoni temën, nëse do të merrni pjesë me temë nga fusha kërkimore A, dhe trevën e të folmen, nëse do të merrni pjesë me temë nga fusha kërkimore B.

Këshilli Shkencor i konferencës: Prof. dr. Jorgji Gjinari,  Akademik Bahri Beci, Akademik Gjovalin Shkurtaj,  Prof. dr. Seit Mansaku,  Prof. dr. Enver Hysa,   Prof. dr. Valter Memisha, Prof. dr. Ludmila Buxheli,  Prof. dr. Anila Omari,   Prof. as. Enkeleida Kapia.

Modifikimi i fundit E martë, 11 Tetor 2016 13:01
 

Kush është online?

Kemi 14 vizitorë online