Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën e VI ndërkombëtare me titull "Kërkime Gjuhësore". Për programin klikoni këtu

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën shkencore me titull "Studime letrare në proces: Rezultate dhe probleme, III". Për programin klikoni këtu

Thirrje për konferencë pdf Shtyp Email
Shkruar nga Administrator   
E enjte, 03 Nentor 2016 11:03

Departamenti i Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, organizon konferencën e IV vjetore me temë "Antropologjia, kultura dhe trupi".

Tema e përzgjedhur sivjet për konferencën vjetore të Departamentit të Etnologjisë në IAKSA synon të nxisë dhe provokojë debatet në dy drejtime:

  1. Në radhë të parë ajo fton studiuesit që kërkimet e tyre të deritashme të lidhura me individin dhe mënyrën sesi ai komunikon me / bëhet pjesë e grupeve shoqërore, si dhe mënyrën sesi ai koncepton, ndërton dhe krijon ambjentet e jetesës për veten dhe të tjerët, t'i rikonceptojnë nga një pikëpamje tjetër: nga pikëpamja e trupit dhe praktikave trupore.
  2. Së dyti, ajo fton që me anë të kësaj prespektive, të nisin kërkime mbi çështje e tema të reja, të pa eksploruara ose të eksploruara shume pak nga antropologjia apo etnologjia shqiptare, e që lidhen me praktikat trupore, siç janë konstruktet trupore gjinore, seksualiteti, maskuliniteti, identitetet gjinore, higjena biologjike dhe ajo rituale, ndryshimet fizike trupore për shkaqe rituale etj.

Bazuar në përkufizimin e Setha M. Low dhe Denise Lawrence-Zuniga (2007), por edhe në atë të shumë studiuesve të tjerë, termin "trup" e përdorim për t'iu referuar mënyrës sesi kuptohen dhe konstruktohen nga ana kulturore karakteristikat fizike dhe sociale të tij. Pjesa më e madhe e praktikave sociale dhe e kuptimeve kulturore të individit lidhen me trupin dhe/ose kryhen me anë të trupit apo me anë të praktikave rituale trupore. Nga pikëpamja e kulturës materiale, të ngrënët, të veshurit, gjimnastika, vrapi, duhanpirja, mënyra e shëndetshme e jetesës, mjeksia dhe të gjitha ritualet që lidhen me sa thamë, lidhen direkt me ekzistencën fizike të trupit. Ato konstruktojnë konceptet që kemi mbi jetën dhe shëndetin, që, në anën tjetër, përmes praktikës individuale apo të grupeve dhe përmes eksperiencave të jetuara, ndryshojnë dhe marrin kuptime të reja. Kësisoj, praktikat rituale trupore dhe trupi, kthehen në pika të rëndësishme për të kuptuar ekzistencën fizike si dhe të qënit në botë - krijimit të jetë-botëve individuale apo të grupeve.

Identitetet gjinore, seksualiteti, maskuliniteti e feminiliteti tradicionalisht janë konceptuar si të përcaktuar nga ana biologjike. Por pjesa më e madhe e studimeve në fushën e shkencave shoqërore si dhe në antropologji përkrahin mendimin se identitetet gjinore janë fluide. Duke mos e lënë mënjanë anën biologjike, shumë studiues argumentojnë se ajo nuk është determinuese për mënyrën sesi konceptojmë trupin gjinor dhe seksualitetin, por përdoret si taktikë diskursivve për të fiksuar dhe esencializuar këto identitete. Ndërkohë që tema të tilla në disa vende të botës janë trajtuar e trajtohen me imtësi, si është gjendja e tyre në Shqipëri dhe në Ballkan?

Gjithashtu trupi duhet trajtuar si plural. I njëjti trup mbart disa regjime: trupi organik, fenomenologjik ose/dhe trupi-në-punë, sikurse këto regjime mund të bëhen kritere dominuese për kategorizimin objektiv të trupave. Trupi është në të njëjtën kohë vepruesi dhe pësuesi i raporteve të forcave në një shoqëri apo komunitet, ndaj si i tillë ai duhet qasur si agency, si toposi ku ndërtohen dhe mbarten strukturat shoqërore ose raportet e forcave. Nga kjo pikëpamje trupat janë njëherazi habitus-e dhe ethos-e.

Në vijim po japim disa linja rreth të cilave mund të propozohen punimet:

  • Trupi dhe seksualiteti 
  • Trupi dhe pushteti 
  • Trupi si kulturë materiale, trupi dhe kultura materiale 
  • Etnologjia dhe trupi Ritualet dhe praktikat trupore 
  • Ushqimi, kulinaria dhe trupi 
  • Trupi dhe biopushteti 
  • Trupi, raca dhe diskursi mbi ta

Abstraktet duhet të jenë deri në 200 fjalë. Ato duhet të shoqërohen edhe me një bio të shkurtër (rreth një paragraf) të autorit dhe te dergohen ne adresen e emailit Ky email po mbrohet prej spambots-ave, të duhet JavaScript per ta pare.

Afati i fundit i aplikimit - 15. 11. 2016

Afati i përgjigjes mbi pranimin apo jo të abstraktit - 21. 11. 2016

Konferenca nuk ka pagesë regjistrimi. Pjesëmarrësit duhet të marrin vetë përsipër shpenzimet e ndenjes dhe fjetjes.

Modifikimi i fundit E premte, 09 Dhjetor 2016 08:42