Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën e VI ndërkombëtare me titull "Kërkime Gjuhësore". Për programin klikoni këtu

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën shkencore me titull "Studime letrare në proces: Rezultate dhe probleme, III". Për programin klikoni këtu

Fushata zgjedhore pdf Shtyp Email
QSA
MARENGLEN VERLI

Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë e miq. Me rastin e zgjedhjeve të shumëpritura prej kohësh për të mandatuar autoritetet dhe organet drejtuese të institucionit tonë, të caktuara në datën 14 gusht 2017, dëshiroj të paraqes kandidaturën time për postin e drejtorit të QSA (më tej: ASA). Me këtë rast më lejoni t’ju bëj të njohur një biografi pune të shkurtër të disa dekadave, mandej disa arritje të dhjetë muajve të fundit, periudhë kur kam ushtruar detyrën për të cilën kandidoj, si edhe një program në linjat kryesore për objektivat që, duke punuar së bashku, mendoj të arrijmë në të ardhmen.

Së pari, po ju paraqes biografinë e punës sime shumëvjeçare shkencore.

A. Një biografi pune e shkurtër 
Jam arsimuar e profilizuar si historian dhe mbaj gradat e titujt: profesor, doktor dhe akademik. U linda në Tiranë, më 19.12.1951. Kreva studimet e larta në degën histori-gjeografi në UT (1969-1973). Punova disa vjet në arsimin e mesëm. Prej vitit 1979 kam qenë punonjës shkencor në Institutin e Historisë të ASHSH dhe disa herë sekretar shkencor, në Sektorin e Historisë së Kosovës (1979-1994), më tej zëvendëspërgjegjës në departamentin e Historisë së Pavarësisë dhe Konsolidimit të shtetit shqiptar (1994-1997) dhe përgjegjës (2008-2016); përgjegjës i departamentit të Historisë së trojeve etnike dhe Diasporës (1998-2005), drejtor i Institutit të Historisë (2005-2008) dhe, që nga shtatori i vitit 2016, drejtor i Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike. Në vitin 2009 u zgjodha “Akademik i Asociuar” në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, kurse në vitin 2016, Akademik.  
Gjatë viteve 1980-2017 kam botuar monografitë “Reforma agrare kolonizuese në Kosovë 1918 -1941”, (Bon-Tiranë, 1992); “Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës në vitet ’70-’90” (Tiranë 1994); “Ekonomia e Kosovës në vargojtë e politikës jugosllave 1945-1990” (Tiranë 2000); “Shqipëria në Konferencën e Paqes (1919-1920)”, (me bashkautor) (Tiranë 2016); kurse në proces botimi është “Profile biografike” (1170 f.). Gjithashtu kam botuar 8 vëllime me studime të shkurtra; “Kosova në fokusin e historisë” vëll. I (Tiranë 2002) dhe vëll. II (2003); “Nga Kosova për Kosovën”, vëll. I (Tiranë 2006); “Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli” (Tiranë 2007); “Shqipëria dhe Kosova – historia e një aspirate” vëll. I, II (Tiranë 2007); “Shqiptarët në optikën e diplomacisë austro-hungareze (1877-1918)”, (Tiranë 2014); “Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare (shek. XIX-XX)”, vëll. I (2014), si dhe kam përgatitur e botuar 10 vëllime me dokumente të zgjedhura e kujtime si: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze” (Tiranë 2008) (me bashkëpërgatitës), “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze 1912” (vëll. VI, VII) (Tiranë 2012) (me bashkëpërgatitës), “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942” (Tiranë 1995), “Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (1876-1919)”, (Tiranë 1995), “Kujtimet e Tafil Boletinit” në dy vëllime (Tetovë 1996), “Shqipëria e viteve 1912-1964 në kujtimet e Spiro Kosovës” në dy vëllime (2008), “Kujtimet e Syrja Vlorës” (me bashkpërgatitës) (Tiranë 2012),  etj. Disa prej këtyre titujve janë ribotuar dy-tri herë. Në veprimtarinë time botuese përfshihen mbi 60 studime të shkurtra (artikuj shkencorë), dhjetëra referate e kumtesa etj. Gjatë viteve të punës shkencore kam bashkëpunuar me mbi 65 gazeta e revista, brenda e jashtë vendit, etj.  
Angazhimi im në punën shkencore lidhet edhe me realizimin e një varg projektesh të rëndësishme kombëtare në të cilat kam qenë organizator, autor e redaktor, si “Historia e Popullit Shqiptar”, vëll. III (Tiranë 2007) dhe vëll. IV, (Tiranë 2008), “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, (Tiranë 1985), ribotimi i tij i ripunuar në tre vëllime (Tiranë 2007-2010), “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze 1912” me 7 vëllime, Tiranë 2012, dhe në projekte e botime të tjera si: “E vërteta për Kosovën dhe Shqiptarët në Jugosllavi” (Tiranë 1990), “Kosova në vështrim enciklopedik” (Tiranë 1999). Gjithashtu kam marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare dhe në botimin e akteve të shumë prej tyre, sikurse kanë qenë ato për 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (2005), 95-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (2007) dhe 100-vjetorin e saj (2012), 130-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  (2008) etj. 
Nga viti 1981 jam angazhuar edhe si pedagog i jashtëm në UT (degët histori, gjeografi, gazetari, sociologji), në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit (në sistemin master), në shkollën doktorale të QSA etj. Ndërkohë kam udhëhequr shumë diploma, teza masteri e doktorature etj., kam qenë autor e kryetar jurie dhe kam bërë oponencën e shumë tezave të doktoraturave, botimeve monografike etj. Gjatë shumë viteve kam qenë anëtar redaksie, si dhe kryeredaktor dhe zv./kryeredaktor i revistës “Studime historike” (Tiranë 2005-2017), gjithashtu anëtar i redaksisë në revistën historiko-politike “Kosova” (Tiranë), “Studia albanica” (Tiranë), “Kosova” (Prishtinë), “Dardania” (Prishtinë) etj. Për gati 40 vjet besoj se kam qenë aktiv në median e shkruar dhe elektronike për probleme të historisë. Veçanërisht, në vitet 1998-1999, kam qenë i pranishëm në median e shkruar, radiofonike e televizive në tema për Kosovën, pothuaj çdo javë. Në vitin 2016, me motivacion “për kontributin e dhënë në fushën e kulturës” jam dekoruar në Kosovë me “Medaljen Presidenciale të Meritave”.

B. Veprimtaria gjatë dhjetë muajve të fundit në detyrën 
     e drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike

Në shtator 2016, porsa mora detyrën e drejtorit të QSA, u angazhova me përparësi për të fituar njohuri për gjithçka duhet të dijë titullari i institucionit, përkatësisht për të njohur legjislacionin, mandej për të njohur e rishikuar objektivat afatshkurtra, afatmesme e afatgjata të institucionit, për të studiuar burimet njerëzore e financiare,  projektet, planifikimet, lidhjet e bashkëpunimet, mundësit, dobësitë dhe pikat e forta të institucionit, raportet e auditimit institucional nga MAS e nga Kontrolli i Lartë i Shtetit etj. etj.
Në një farë mënyre mu desh të kujdesesha edhe për përmirësimin e imazhit të institucionit në të gjitha nivelet publike e vendimmarrëse, edhe për reklamimin e punës së bërë gjatë dekadës së fundit (152 botime monografike, 2144 artikuj brenda e jashtë vendit, 32 projekte ndërkombëtare, një shkollë doktorate me mjaft rezultate etj.), edhe për evidentimin e vlerave tona njerëzore e materiale, unikale e të jashtëzakonshme, edhe për shtimin konkret të numrit të botimeve, të pjesëmarrjes në konferenca, të gjetjes, përmes kursimeve në buxhetin ekzistues, të mjeteve monetare për të rifilluar sadopak pagesën konform legjislacionit në fuqi të honorarëve, për pasurimin e bibliotekës (rreth 360 tituj të rinj), për intensifikimin e digjitalizimit të saj e të arkivave, duke shfrytëzuar burimet njerëzore ekzistuese (rreth 200 mijë dokumente e skeda) etj. Angazhim të veçantë i kushtova edhe lobimit për miratimin e statusit të institucionit, i cili ishte lënë jashtë Ligjit nr. 80 të vitit 2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”.


C.  Çfarë duhet dhe çfarë mund të bëjmë bashkërisht në të ardhmen?
Besoj se më tepër rëndësi se çfarë është bërë, ka ajo që duhet bërë e mund të bëhet në të ardhmen.
Dëshiroj të them në këtë rast se, nëse do të më ngarkohet mandati i drejtorit të ASA, programi im (në variantin minimum dhe maksimum, që lidhet me përmasën e angazhimit shtetëror për institucionin tonë), është i thjeshtë dhe përmban zgjidhjen më optimale të pikësynimeve e shqetësimeve të ne të gjithëve: 


1. Përmirësimi i kushteve të punës
Synimi maksimal është sigurimi i një ndërtese, apo ndërtesave, të përshtatshme që do të siguronin për çdo punonjës m2 sipas standardeve ballkanike, mikroklimën e përshtatshme në zyra gjatë gjithë vitit, pajisje bashkëkohore funksionale në zyra, arkiva e biblioteka, rinovim të pajisjeve të amortizuara dhe pajisja e studiuesve dhe personelit ndihmës me mjetet e duhura të punës (kompjutera, laptopë, fotokopje, skanera etj.).
Arkivat, bibliotekat, muzeu i arkeologjisë, sipas specifikave, jo vetëm do të vendosen në stelazhe e rafte funksionale, por do të përfundojë digjitalizimi dhe përmes programeve të avancuara do të krijohen lehtësi në shfrytëzim për studiuesit. Për pasurimin e tyre të mëtejshëm do të bëhen të gjitha përpjekjet për të siguruar marrëveshje shkëmbimi.
Nëse do të duhej për të qenë më konkret në ndonjë tregues, po përmend se do të realizohet në një kohë të afërt rivitalizimi i muzeut arkeologjik dhe shtimi me disa herë i të ardhurave të krijuara prej tij, krijimi i kushteve të përshtatshme për fondet e arkeologjisë dhe të IAKSA-s, digjitalizimi brenda dy vjetësh i Bibliotekës së Albanologjisë, përkatësisht fondit të saj prej rreth 80 000 titujsh etj.


2. Përmirësimi i trajtimit material të stafit akademik dhe ndihmës.
 Në këtë kuadër, krahas lobimit e përpjekjeve për rritjen e pagave, për t’i bërë të krahasueshme me shtetet e rajonit, do të realizohet zbatimi i ligjit për honoraret, duke e vlerësuar këtë si instrument themelor për nxitjen e prodhimit shkencor me cilësi e sasi. Gjithashtu do të synohet likuidimi i borxheve apo honorarëve të prapambetura, duke respektuar kuadrin ligjor ekzistues. 


3. Forcimi i lidhjeve dhe bashkëpunimit brenda e jashtë vendit
Lidhjet me marrëveshje institucionale me simotrat dhe kolegët tanë në rajon e në botë do të jenë një prioritet i punës në vitet e ardhshme. Këto do të realizohen përmes marrëveshjeve kuadër e marrëveshjeve konkrete të bashkëpunimit për projektet studimore e botuese të përbashkëta. 
Në perspektivë do të kërkohet një fond fiks vjetor për çdo studiues me arritje shkencore, që do t’u sigurojë mundësinë për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, për kërkime arkivore në arkiva të huaja, etj. Përmasat e këtij fondi do të varen nga angazhimi shtetëror i shtuar, apo nga mbështetja vetëm në mundësitë tona financiare. Ndërkohë, çdo nismë individuale për bashkëpunime serioze apo pjesëmarrje në projekte do të përkrahet institucionalisht.

4.  Përkrahja e studiuesve të rinj
Në mënyrë të vazhdueshme e të planifikuar do të përkrahen studiuesit e rinj për t’u kualifikuar dhe për t’u evidentuar, duke stimuluar publikimin brenda e jashtë vendit të arritjeve të tyre shkencore. Për më të shquarit do të lobohet pranë institucioneve prestigjioze, si p.sh. në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, etj. që të vlerësohen e të aktivizohen në projekte të ndryshme individuale e kolektive, gjithashtu të kërkohen në borde e komisione të ndryshëm si ekspertë etj.

5.  Publikimi më i mirë i veprimtarisë shkencore studimore e botuese
Një vëmendje të veçantë do të ketë publikimi i veprimtarive tona shkencore. Në këtë kuadër do të realizohet paraqitja në gjuhën angleze online dhe në formatin e një reviste të përbashkët, e studimeve të shkurtra (artikujve) që do të përzgjidhen nga revistat e katër instituteve. Do të bëhen përpjekje më tej të gjenden mjetet financiare për të botuar në gjuhën angleze monografitë më të spikatura të realizuara nga studiuesit tanë.
Nxitja e botimeve do të jetë maksimale, dhe për të gjitha gjinitë (monografi, përmbledhje studimesh, dokumentesh, albume etj.

6.  Shkolla doktorale
Mbajtja nga institucioni ynë i shkollës doktorale është një arritje që duhet çuar më tej duke siguruar rentabilitetin e saj. Kjo do të arrihet përmes ndryshimit të kuotës së pagesës së studentëve pa i rënduar ato financiarisht, dhe duke qenë konkurrues me institucionet analoge. 

7.  Promovimi i vlerave të QSA dhe ngritja e imazhit tonë institucional
Realizimi më së miri i këtij objektivi mund të arrihet  nëse të gjithë bashkë do të punojmë për këtë qëllim. Besoj se jemi në një mendje që një synim i tillë realizohet me ngritjen cilësore e sasiore të punës të gjithsecilit, me kualifikimin e vazhdueshëm të gjithsecilit, me realizimin e projekteve të rëndësishme, me bashkëpunimin efikas, me praninë prestigjioze në media etj. Në këtë kuadër, detyra ime do të jetë lobimi pranë institucioneve të çdo natyre e të çdo niveli, për vlerat e institucionit, për gjithë studiuesit e QSA, si individë ose në grup, dhe ndjekja e një politike më agresive për prezantimin e arritjeve tona me cilësi e kompetencë në median e shkruar dhe elektronike, në borde shtetërore qendrore e lokale, në ofrimin e projekteve me efekte sensibiluzese etj.

8. Transparencë në punën e organeve drejtuese të QSA
Së fundi, dëshiroj të theksoj se do të ketë transparencë të plotë në veprimtaritë e institucionit dhe gjithë instituteve përbërës, përfshi edhe sferën financiare dhe raporti vjetor  do të ketë të pasqyruar çdo vit të gjithë treguesit e punës sonë dhe kostos së saj.
Ju uroj të gjithëve shëndet e punë të mbarë, sigurisht edhe pushime të këndshme.

    Përzemërsisht
MARENGLEN VERLI


 

Kush është online?

Kemi 14 vizitorë online