Muzeu Arkeologjik pdf Shtyp Email
Arkeologji
Shkruar nga Administrator   

Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, gjatë së cilës u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeale. U hap në 1 Nëntor 1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavioni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik. Ky muze prezanton kërkimet e zbulimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Materiali i ekspozuar përfshin një periudhë kohore nga epokat e gurit, tek ato të metaleve (bronzit e hekurit) kur lindi e u zhvillua etnosi ilir, periudhën e antikitetit ilir, dhe periudhën e antikitetit të vonë e mesjetën deri në pushtimin osman. Kërkimet intensive arkeologjike në fushën e prehistorisë, antikitetit dhe mesjetës gjatë viteve në vazhdim bënë të mundur nje varg riorganizimesh e rikonstruksionesh të këtij muzeu (1957, 1976, 1982, 1985, 1998) për përmirësimin e mëtejshëm të përmbajtjes dhe ekspozimit.

Në sallën e parë dhe të dytë të muzeut janë ekspozuar objekte që i përkasin periudhës së prehistorisë, nga paleoliti deri në epokën e hekurit. Objektet e zbuluara nga jugu deri në veri të Shqipërisë janë paraqitur sipas një renditje tematike dhe kronologjike, ku qëllimi kryesor i përzgjedhjes së tyre ka qenë lindja dhe krijimi i autenticitetit të etnosit ilir, i cili u krijua dhe u zhvillua në këtë territor.

Në sallën e tretë dhe të katërt janë ekspozuar objekte që i përkasin periudhave të ndryshme, që nga shek. IV p. Kr. deri në shek. VI të m.Kr sipas një ndarje kronologjike dhe sipas një shpërndarje nga jugu në veri të Koinoneve ilire. Në shek. V-IV p.Kr. filloi urbanizimi i qyteteve ilire në bazë të Koinoneve, njësi politiko-administrative. Periudha e antikitetit paraqitet nëpërmjet qendrave qytetare që lulëzuan në shek. III-II p. Kr. në territoret e fiseve kryesore ilire. Objektet e ekspozuara në vitrinat e kësaj perudhe kanë për qëllim të tregojnë jetën e përditshme të ilirëve, por dhe tregtinë që ata kanë patur me kolonitë greken. Në sallën e katërt dy vitrina i janë rezervuar kolonive greke të Dyrrachium dhe Apollonisë të themeluara përgjatë bregdetit ilir. Në muze janë ekspozuar dhe objekte jashtë vitrinave, ku pjesën më të madhe e zënë skulpturat.

Në sallën e pestë dhe të fundit janë ekspozuar objekte që i përkasin periudhës së mesjetës, të cilat vijnë nga kështjella dhe varreza, sidomos nga varreza e famshme e Komanit. Objektet e ekspozuara në këtë sallë janë konsideruar si hallka e vazhdimësisë nga kultura ilire tek ajo mesjetare. Qëllimi kryesor i këtij sesioni është të dëshmojë që ilirët nuk u romanizuan, por ata vazhduan të jetojnë në të njëjtin territor duke trashëguar të njëjtën kulturë materiale dhe shpirtërore.

Në sallat e muzeut janë ekspozuar foto të lidhura me materialin ekspozuar sipas cdo periudhe, si dhe dy harta: njëra paraqet sitet arkeologjike të gërmuara nga arkeologët në vite, nga periudhat më të hershme (që nga stacionet paleolitike) deri në periudhën para pushtimit turik, ku është dhe fundi i koleksionit të muzeut dhe harta tjetër paraqet shtrirjen e fiseve ilire në antikitet. Pranë cdo objekti brenda dhe jashtë vitrinave janë vendosur etiketa që tregojnë vendgjetjen e tyre. Muzeu Arkeologjik i Tiranës ka të ekspozuara rreth 2000 objekte dhe mbështetet në një fond rezervë me më shumë se 17 000 objekte, të cilit gjithashtu i shtohen cdo vit objekte të tjera nga zbulimet sistematike arkeologjike.

Modifikimi i fundit E enjte, 17 Nentor 2016 11:32