AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE

Qendra e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike) u krijua në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish- Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

QSA (sot ASA) u riorganizua si institucion kërkimor-shkencor më 10 mars 2008 dhe ka statusin e një qendre ndëruniversitare. E pasur me një ekip kërkuesish shkencorë e specialistësh të konfirmuar në fushat e studimeve albanologjike, si dhe me fonde e materiale arkivore të një rëndësie të veçantë, ASA pozicionohet si një ndër institucionet më të rëndësishëm kërkimorë-shkencorë të botës shqiptare.

Krahas kërkimit në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj., rëndësi të posaçme në punën e ASA marrin hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit shqiptar.

Me kompetencat shumëplanëshe të trupës së specialistëve dhe me kapacitetin realizues, ASA afirmohet si aktor i domosdoshëm në jetën shkencore e kulturore shqiptare dhe njëkohësisht si partner i besueshëm për bashkëpunimet akademike e universitare.

ASA ofron përvojën dhe shërbimin e vet jo vetëm në realizimin e projekteve me interes shkencor e publik, por edhe në transferimin e dijeve, nëpërmjet shkollave të Masterit e të Doktoraturës në fushat e në specialitetet që mbulon.

2017 © AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA.
Ky portal është aktualisht në proces ndërtimi dhe përpunimi të informacionit.
+