Akademik Prof. Dr.

Marenglen Verli

 

Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike

 

Shkarko CV

VERLI Marenglen (1951-). Historian, profesor doktor dhe akademik. Lindi në Tiranë, 19.12.1951Kreu studimet e larta në degën histori-gjeografi në UT (1969-1973).

Punoi disa vjet në arsimin e mesëm. Prej v. 1979 punonjës shkencor në Institutin e Historisë të ASHSH dhe disa herë sekretar shkencor, në Sektorin e Historisë së Kosovës (1979-1994), zëvendëspërgjegjës në departamentin e Historisë së Pavarësisë dhe Konsolidimit të shtetit shqiptar (1994-1997) dhe përgjegjës (2008-2016); përgjegjës i departamentit të Historisë së trojeve etnike dhe Diasporës (1998-2005), drejtor i Institutit të Historisë (2005-2008) dhe, që nga shtatori i vitit 2016, drejtor i Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike. Në vitin 2009 u zgjodh “Akademik i Asociuar” në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, kurse në vitin 2016 Akademik.

M. Verli ka botuar monografitë “Reforma agrare kolonizuese në Kosovë 1918 -1941”, (Bon-Tiranë, 1992); “Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës në vitin ’70-’90” (Tiranë 1994): “Ekonomia e Kosovës në vargonjtë e politikës jugosllave 1945-1990” (Tiranë 2000); “Shqipëria në Konferencën e Paqes (1919-1920)”, (me bashkautor) (Tiranë 2016); gjithashtu ka botuar 8 vëllime me studime; “Kosova në fokusin e historisë” vëll. I (Tiranë 2002) dhe vëll. II (2003); “Nga Kosova për Kosovën”, vëll. I (Tiranë 2006); “Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli” (Tiranë 2007); “Shqipëria dhe Kosova – historia e një aspirate” vëll. I, II (Tiranë 2007), “Shqiptarët në optikën e diplomacisë austro-hungareze”, 1877-1918, (2014); “Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare” (shek. XIX-XX), vëll. I, (2014), si dhe ka përgatitur e botuar 10 vëllime me dokumente të zgjedhura e kujtime si: “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942” (Tiranë 1995), “Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (1876-1919), (Tiranë 1995), “Kujtimet e Tafil Boletinit” në dy vëllime (Tetovë 1996), “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze” (Tiranë 2008) (me bashkpërgatitës), “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze 1912” (vëll. VI, VII) (Tiranë 2012) (me bashkëpërgatitës), Shqipëria e viteve 1912-1964 në kujtimet e Spiro Kosovës” në dy vëllime, vëll. I (2008), “Kujtimet e Syrja Vlorës” (me bashkpërgatitës) (Tiranë 2012), etj.

Disa prej këtyre titujve janë ribotuar dy-tri herë. Në veprimtarinë botuese të M. Verlit përfshihen mbi 60 studime të shkurtra (artikuj shkencorë), dhjetra referate e kumtesa etj. Ai ka bashkëpunuar ndër vite me mbi 65 gazeta e revista brenda e jashtë vendit etj.

Angazhimi i M. Verlit në punën shkencore lidhet edhe me realizimin e një varg projektesh të rëndësishme kombëtare në të cilat ka qenë organizator, autor e redaktor, si “Historia e Popullit Shqiptar”, vëll. III (Tiranë 2007) dhe vëll. IV, (Tiranë 2008), “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, (Tiranë 1985), ribotimi i tij i ripunuar në tre vëllime (Tiranë 2007-2010), “Shqipëria në dokumentet austro-hungareze 1912” me 7 vëllime, Tiranë 2012 dhe në projekte e botime të tjera si: “E vërteta për Kosovën dhe Shqiptarët në Jugosllavi” (Tiranë 1990), “Kosova në vështrim enciklopedik” (Tiranë 1999), gjithashtu në organizimin e Konferencave Ndërkombëtare dhe botimin e akteve të shumë prej tyre, sikurse kanë qenë ato për 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (2005), 95-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (2007) dhe 100-vjetorin e saj (2012), 130-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  (2008) etj.

Nga v. 1981 M. Verli është angazhuar edhe si pedagog i jashtëm i UT, i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit etj. Ka udhëhequr e recensionuar diploma, teza masteri e doktorature etj. Gjatë shumë viteve ka qenë anëtar redaksie, si dhe kryeredaktor dhe zv./Kryeredaktor i revistës “Studime historike” (Tiranë 2005-2017), gjithashtu anëtar i redaksisë në revistën historiko-politike “Kosova” (Tiranë), “Studia albanica” (Tiranë), “Kosova” (Prishtinë), “Dardania” (Prishtinë) etj. Për gati 40 vjet ai ka qenë aktiv në median e shkruar elektronike për probleme të historisë. Në vitin 2016, “për kontributin e dhënë në fushën e kulturës” është dekoruar në Kosovë me “Medaljen Presidenciale të Meritave”.

2017 © AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA.
Ky portal është aktualisht në proces ndërtimi dhe përpunimi të informacionit.
+