instituti
gjuhësi
e letërsi

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë është institucion kërkimor-shkencor për studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare. Fillimet e tij lidhen me Institutin e Studimeve Shqiptare themeluar më 08.04.1940. Pas Çlirimit, më 1946 u themelua Instituti i Kërkimeve Shkencore, i cili më 1948 u quajt Instituti i Shkencave. Me krijimin e Akademisë së Shkencave më 1972, sektorët gjuhësorë e letrarë formuan Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë. Në 1 mars 2008, me reformimin e Akademisë së Shkencave, IGJL bashkë me institutet e tjera albanologjike, formuan Qendrën e Studimeve Albanologjike, sot Akademia e Studimeve Albanologjike.

INSTITUTI I GJUHËSISË DHE LETËRSISË

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë është institucion kërkimor-shkencor, qendër kryesore për studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare. Fillimet e tij lidhen me Institutin e Studimeve Shqiptare themeluar më 08.04.1940 në Tiranë. Pas Çlirimit, më 1946 u themelua Instituti i Kërkimeve Shkencore, i cili më 1948 u quajt Instituti i Shkencave. Me krijimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më 1972, sektorët gjuhësorë e letrarë formuan Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë. Në 1 mars 2008, me reformimin e Akademisë së Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë bashkë me institutet e tjera albanologjike, formuan Qendrën e Studimeve Albanologjike.

KONTRIBUTI

Në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar punonjës shkencorë e figura studiuesish të shquar, si Kostaq Cipo, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Lirak Dodbiba, Jani Thomai, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Jorgo Bulo, Bahri Beci, Koço Bihiku, Miço Samara, Ferdinand Leka, Hëna Pasho, Hajri Shehu, Agron Duro, Ludmila Buxheli, Klara Kodra etj.

gjuhësia

Studimet në fushën e gjuhësisë, së pari janë lidhur me ato për gramatikën, duke u marrë kryesisht me strukturën fonetike, morfologjike e sintaksore të shqipes dhe janë sintetizuar në shumë monografi e në veprën përgjithësuese në tre vëllime “Fonetika dhe Gramatika e gjuhës së sotme shqipe”, e cila u ribotua në dy vëllime me titull “Gramatika e gjuhës shqipe”, ku janë përfshirë morfologjia dhe sintaksa. Janë botuar gjithashtu studime e monografi për kategori e çështje të veçanta të gramatikës së shqipes, të mbështetura në një lëndë të pasur gjuhësore.

zhvillimi dhe standartizimi

Problemet e kulturës së gjuhës, të historisë së zhvillimit të shqipes letrare si dhe procesi i standardizimit e i kodifikimit të saj janë bërë objekt studimesh të veçanta dhe i veprimtarive shkencore të rëndësishme si “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, (1972) Konferenca Shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (2002), Konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit” (Durrës 2010) etj. Rezultatet në këto fusha kanë gjetur pasqyrim në veprat normative të karakterit të përgjithshëm, por dhe të veçantë si “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” dhe “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”.

dialektet

Studimi i dialekteve të shqipes ka formuar një nga drejtimet e kërkimit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë që nga themelimi i tij. Janë kryer kërkime dialektologjike në 300 pika në Republikën e Shqipërisë dhe në shumë pika në trojet e shqipes në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në ngulimet e arbëreshëve të Italisë. Rezultatet e kësaj pune janë kurorëzuar me krijimin e kartotekës dhe fonotekës së dialektologjisë shqipe, me hartimin e një numri të madh skicash dialektologjike dhe me përgatitjen dhe botimin e “Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” (dalë nga shtypi në Napoli, nën kujdesin e Institutit Oriental të Napolit).

historia e shqipes

Studime të rëndësishme janë kryer edhe në fushën e historisë së shqipes të raporteve të saj me gjuhë të tjera sidomos me gjuhët e Ballkanit dhe në fushë të etimologjisë së saj. Arritja kryesore në këtë fushë është vepra në shtatë vëllime e E. Çabejt “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Akademiku Kolec Topalli ka përgatitur “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe” (me tri vëllime) që është në proces botimi.

leksikologjia dhe leksikografia

Rezultate të shënuara janë arritur në fushë të leksikologjisë e leksikografisë. Puna institucionale në këto fusha ka synuar të nxjerrë në dritë pasuritë leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes. Ajo është përqëndruar në studimin e strukturës kuptimore të fjalëve, në sistemin fjalëformues të shqipes dhe në hartimin e fjalorëve shpjegues e terminologjikë, si “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984/2002), “Fjalori i gjuhës shqipe” (2006), “Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe” (2004), “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (1999/2010) dhe një numër fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme, të realizuara me grupe specialistësh të këtyre fushave.

historia e letërsisë shqipe

Fushë e gjerë e kërkimit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë ka qenë dhe mbetet historia e letërsisë shqipe. Studimet në këtë fushë kanë synuar të hedhin dritë në procesin e formimit të letërsisë kombëtare të shqiptarëve, në veçoritë e këtij procesi vështruar edhe në rrafsh krahasimtar, në krijimtarinë e shkrimtarëve më të shquar të gjithë epokave letrare. Studimet në këto fusha janë sintetizuar në veprën përgjithësuese “Historia e letërsisë shqipe” që ka njohur dy botime dhe në një varg monografish shkencore. Gjithashtu po punohet për hartimin e një vepre shkencore trivëllimëshe, “Autorë dhe tekste – një histori antologjike e letërsisë shqipe”.

Drejtimet Kryesore të Veprimtarisë Shkencore

Objekti kryesor i punës kërkimore-shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë është gjuha shqipe dhe letërsia shqipe.

Në fushën e gjuhësisë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ka si detyrë themelore studimin e shqipes e të dialekteve të saj në gjendjen e sotme dhe në zhvillimin e tyre historik, hartimin e gramatikave shkencore dhe të fjalorëve shpjegues e terminologjikë, trajtimin e çështjeve të shqipes standarde, të normës gjuhësore e të kulturës së gjuhës.

Në fushën e studimeve letrare detyrë e tij themelore janë studimet për zhvillimin historik të letërsisë shqipe, për jetën dhe veprën e përfaqësuesve të saj më të shquar, hartimi i veprave përgjithësuese historiko-letrare si dhe botimi kritik shkencor i klasikëve të traditës letrare.

Kriteret tekstologjike dhe botimi kritik shkencor

Përpunimi i kritereve tekstologjike dhe botimi kritik shkencor i veprës së klasikëve të letërsisë shqipe dhe të monumenteve të shqipes së shkruar është një fushë tjetër pune e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Studime
Letrare

pamje-nga-fondi-i-bibliotekes-wo

Gramatika

Leksikologjia
Terminologjia dhe
Gjuhësia e Zbatuar

Arkivi Shkencor

Arkivi i Institutit të Gjuhësisë dhe i Letërsisë ruan në fondet e tij dorëshkrime tekstesh të vjetra të shqipes, materiale dokumentare nga fusha e albanologjisë që mund të shfrytëzohen nga çdo studiues. Në të ruhen gjithashtu dorëshkrime të punimeve, monografike e veprave gjuhësore a historiko-letrare, të studiuesve të ndryshëm, të botuara ose jo.

kontakt

Instituti i Antropologjisë Kulturore
dhe Studimit të Artit

Rr. "Naim Frashëri" Nr. 1
Tiranë

Akademia e Studimeve Albanologjike

Selia Qendrore

Sheshi "Nënë Tereza", Nr. 3
Tiranë

Tel: +355 42 240 713
Email: info@qsa.edu.al

Qendra e Enciklopedisë Shqiptare

Sheshi "Fan Noli", Nr. 7
Tiranë

Ky portal është aktualisht në proces ndërtimi dhe përpunimi të informacionit.
+